Kina kundërshton pretendimin e Pentagonit
Ministria e Mbrojtjes e Kinës ka mohuar një pretendim të ushtrisë amerikane se muajin e kaluar një luftanije kineze kishte qëlluar me lazer një avion spiun të marinës amerikane.
Duke hedhur poshtë pretendimin amerikan, zëdhënësi i ministrisë Ren Guoqiang këmbënguli se versioni i ngjarjeve i prezantuar nga SHBA "nuk përputhej me realitetin", duke shtuar se një skuadrilje kineze ishte angazhuar në stërvitje rutinore detare në ujërat ndërkombëtare kur aeroplani luftarak i SHBA u afrua. Më tej, Ren akuzoi se avionët spiunë P-8A Poseidon të Marinës amerikane kanë kryer operacione "zbulimi për një periudhë të gjatë në lartësi të ulët, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga pala kineze." "Sjellja e avionëve amerikanë ishte jomiqësore dhe joprofesionale, çka kërcënoi rëndë sigurinë e anijeve, avionëve dhe ekuipazhit të të dy palëve," shtoi ai. Reagimi nga Pekini erdhi disa javë pasi ushtria amerikane pretendoi se forcat kineze kanë përdorur armë me lazer për të sulmuar dhe dëmtuar potencialisht avionët dhe personelin ushtarak amerikan.