Foreign Affairs: "Fundi i rolit global të Amerikës"
Revista amerikane Foreign Affairs publikoi një botim të veçantë me temën "Fundi i rolit global të Amerikës", duke theksuar nevojën për t'i dhënë fund armiqësisë së Uashingtonit me Iranin dhe rikthimin në diplomaci me Teheranin.
Një nga artikujt në këtë botim të ri të revistës amerikane me titull "Çmimi i supremacisë: Pse Amerika nuk duhet të mbizotërojë botën" nga Stephen Wertheim analizoi rënien e fuqisë së hegjemonisë së Shteteve të Bashkuara në botë. Wertheim është Drejtor i Kërkimit dhe Planifikimit të Politikave në Institutin Quincy për Qeverisje të Përgjegjshme dhe në Institutin Arnold A. Saltzman për Studime Polemologjike dhe Irenologjike të lidhur me Universitetin Columbia. Ai shkruan: "Shtetet e Bashkuara duhet të ndalin politikën e "luftimit të terrorizmit" dhe armiqësisë ndaj vendeve që nuk kanë nevojë të jenë armiqtë e betuar të Uashingtonit, veçanërisht për shtetet e dobëta që nuk kanë asnjë arsye për të kërcënuar Amerikën. Marrim shembullin e Koresë së Veriut. Uashingtoni duhet të lërë mënjanë iluzionin se regjimi i Kim Jong-un do të pranonte çarmatimin e plotë bërthamor nën presionin e jashtëm. Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë të normalizojnë marrëdhëniet me Korenë e Veriut dhe të rivendosin paqen në Gadishullin Korean. Irani është një armik tjetër që meriton të "mposhtet". Shtetet e Bashkuara duhet të përfundojnë rivalitetin e tyre me Iranin duke hequr sanksionet kundër Republikës Islamike dhe duke iu rikthyer "Planit të Përbashkët të Aksionit Gjithëpërfshirës"( Marrëveshjes bërthamore). Marrëveshja bërthamore e nënshkruar nga Uashingtoni dhe fuqitë e tjera të mëdha me Iranin ka treguar se jo vetëm që diplomacia është e mundur me Iranin, por që diplomacia është mënyra më efektive për të zgjidhur tensionet bilaterale. Kjo "etje për hakmarrje", e cila tani në administratën Trump duket se është forca shtytëse e politikës amerikane drejt Iranit, nuk ka asnjë përfitim të vërtetë për Shtetet e Bashkuara. Politika e Uashingtonit ndaj vendeve të tjera në Lindjen e Mesme gjithashtu duhet t'i përmbahet këtij parimi: Nuk ka miq ose armiq të përhershëm. Shtetet e Bashkuara duhet të zvogëlojnë nivelin e marrëdhënieve të tyre me partnerë të tillë si Arabia Saudite dhe ta bëjnë të qartë se Riadi duhet të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e vet. Uashingtoni duhet të mbyllë pothuajse të gjitha bazat e tij ushtarake në rajon. Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë së luajturi një rol primar në mosmarrëveshje siç është lufta në Jemen dhe konflikti izraelito-palestinez. Nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të ndihmojnë në zgjidhjen e këtyre konflikteve, mënyra më e përshtatshme është të zgjedhësh diplomaci të paanshme. Është koha për të hequr qafe "momentin unipolar" [periudha e ngritjes së Amerikës si superfuqia e vetme në botë pas Luftës së Ftohtë]. Për tre dekada, Shtetet e Bashkuara kanë shtrirë praninë e saj ushtarake dhe angazhimet e saj në botë dhe tashmë ndodhet në prag të dështimit të kësaj politike. Uashingtoni duhet të vendosë me vetëdije të tërhiqet ushtarakisht në mënyrë që të reformojë të kaluarën për të ndërtuar një botë që lulëzon. Amerika duhet të përdorë fuqinë dhe ndikimin e saj për të zgjidhur sfidat që bombat dhe plumbat nuk mund të zgjidhin".