Italia shton masat në kushte tepër të rënda të Covid-19
Kurba e pandemisë vazhdon në kulmin e saj më të lartë në Itali.
Prej 3 ditësh viktimat dhe të infektuarit kanë pothuajse të njëjtin numër rritje nga dita në ditë. Numri i viktimave me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit është rritur me 727 viktima. Numri total i tyre që nga nisja e pandemisë është, 13 155 ndërsa numri i rasteve pozitive ka arritur në 110 574, duke shënuar 4782 raste më shumë se një ditë më parë. 4035 në terapi intensive, 28 493 në struktura spitalore e 48 134 në kushte shtëpie. Pacientë të shëruar deri më sot janë 16 847. Në Lombardi numri i viktimave është 7953 e numri i rasteve pozitive ka arritur në 44 773. Në Itali janë kryer 541 423 tampone. Qeveria italiane ka vendosur të shtyjë dhe 10 ditë masat e izolimit të lëvizjes së qytetarëve dhe të pezullimit të aktiviteteve tregtare e prodhuese që deri tani kishin një kohëzgjatje deri më 3 prill 2020. Në një konferencë për mediat, Kryeministri Conte informoi se ka firmosur dekretligjin e aprovuar nga Këshilli i Ministrave që vendos shtyrjen e afatit të masave të izolimit deri më datën 13 prill 2020. "Italia, tha Conte, po kalon momentin e fazës akute të pandemisë. Sot kapërcyem 13 155 viktima e është një plagë që na dhemb shumë e pra nuk jemi në kushtet për të lehtësuar masat që kemi marrë deri më sot".