Pandemia Covid-19 në Amerikë
Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në mbi 12 mijë e 285, ndërsa numri i të infektuarve është në mbi 387 mijë. Qyteti i Nju Jorkut vazhdon të jetë më i godituri, me mbi 4 mijë të vdekur.
Gjatë konferencës për shtyp të Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Presidenti Donald Trump pranoi se ishte informuar vetëm rishtazi për paralajmërimet në fillim të vitit të njërit prej këshilltarëve të tij të lartë, Peter Navarro, për efektet e mundshme të pandemisë. Presidenti mohoi ta ketë lexuar memorandumin e zotit Navarro në momentin kur ai e kishte paraqitur gjatë muajit janar. Megjithatë, Presidenti doli në mbrojtje të përpjekjeve që ka udhëhequr për të përballuar dëmet nga pandemia e koronavirusit. “Nuk mund ta kisha bërë më mirë”, u shpreh Presidenti Trump. Presidenti u tha sot gazetarëve se ai dëshiron të tregohet pozitiv dhe se “nuk dëshiroj të shkaktoj panik dhe shok”. Ai shtoi se veprimet e tij në përgjigje të pandemisë ishin veprimet më praktike të mundshme.