Amerika në katastrofë nga pandemia Covid-19
Prej ditës së sotme më 11 prill, SHBA është vendi me më shumë viktima dhe me më shumë të infektuar nga Covid-19 në gjithë botën. SHBA shënon 19,701 kurse Italia 19,468 sipas statistikave të universiteti John Hopkins.
Gjithashtu SHBA u bë vendi i parë që shënon mbi 2 mijë viktima në ditë nga koronavirusi. Numri i viktimave ka shkuar në 20,064 ndërsa i të infektuarve në 514,415.Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se numri zyrtar i viktimave në SHBA nuk është i plotë, pasi merr parasysh vetëm viktimat e konfirmuara nga provat laboratorike. Ekspertë për shëndetin publik kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve në SHBA mund të arrijë në 200,000 nëse masat e pashembullta për qëndrim në shtëpi dhe mbyllje të bizneseve lehtësohen pas 30 ditëve.Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se dëshiron që jeta t’i kthehet normalitetit sa më shpejt që është e mundur. “Mua do të më duhet të marr një vendim, dhe i lutem Zotit që do të jetë vendimi i drejtë. Është vendimi më i madh që kam marr ndonjëherë”, ka thënë Trump para gazetarëve.