Ulet numri i vdekjeve në Itali
Italia ka regjistruar sot numrin më të ulët të viktimave gjatë 24 orëve, në 3 javët e fundit.
Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 431 viktima, duke e çuar numrin e tyre në 19 898. Shifra më e ulët ishte regjistruar 3 javë më parë më 19 mars kur numri i tyre në 24 orë ishte 427. Por rastet pozitive vazhdojnë trendin në rritje e sot janë 4092 më shumë se një ditë më parë e numri i personave të infektuar me Covid 19 në Itali është deri më sot më 156 363. Numri i pacientëve të shëruar ka arritur në 34 211 e janë 1677 pacientë të shëruar në 24 orë. Janë 38 pacientë më pak në repartet e terapisë intensive duke e ulur numrin e tyre më 3343. Ndërsa Spanja shënoi një tjetër ditë tragjike si pasojë e pandemisë së COVID-19. Në 24 orët e fundit u regjistruan 619 viktima duke e çuar numrin total në 16,972. Ndërsa numri i të prekurve është rritur me 4,167 raste brenda po kësaj periudhe. Në total janë 166,019 persona të infektuar në të gjithë Spanjën. Mbi 62 mijë persona janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali.