Tjetër ditë tragjike në SHBA
New Yorku shënon një tjetër ditë tragjike këtë të hënë si pasojë e koronavirusit. Guvernatori Andrew Cuomo në një konferencë raportoi për 671 viktima të reja në 24 orë duke e çuar numrin total në 10,056.
Ai shprehet se statistikat në 24 orë janë në trend rënie por në përgjithësi numri i tyre është sërish i lartë. New Yorku është shteti më i prekur nga COVID-19 në të gjithë ShBA-në. Numri i viktimave është 23,077 ku pothuajse gjysma janë të regjistruar në New York. Ndërkohë numri i të infektuarve është 577,506. Presidenti amerikan Donald Trump mbrëmjen e së dielës ka rishpërndarë një postim në Twitter në të cilin bëhej thirrje për shkarkimin e Dr. Anthony Fauci. Ky veprim i presidentit Trump, sipas CNN, po vlerësohet si shenja e fundit e tensionit të dukshëm midis dy burrave, mes pandemisë së coronavirusit. Fauci, eksperti më i mirë amerikan i sëmundjeve infektive pranoi të dielën në mëngjes se përpjekjet e mëparshme të zbutjes mund të kishin shpëtuar më shumë jetë dhe përsëri bëri thirrje për një rihapje të kujdesshme të kombit, përkundër thirrjeve të Trump për të rifilluar shpejt ekonominë. Por Trump ka kundërshtuar që administrata e tij ishte e ngadaltë për t’u përgjigjur dhe ka bërë thirrje që ekonomia të rihapet shpejt, potencialisht në fillim të majit, me gjithë paralajmërimet e zyrtarëve shëndetësorë që duke bërë kështu mund të rrezikojnë “një ringjallje të coronavirusit”.