Ekonomia amerikane e tronditur nga virusi korona
https://parstoday.ir/sq/news/world-i96805-ekonomia_amerikane_e_tronditur_nga_virusi_korona
Përhapja e virusit korona është bërë shkak që Amerika, vendi me ekonominë më të madhe në botë, të futet në recesion. Shumë analistë janë të mendimit se recesioni ekonomik në Amerikë do të vazhdojë për muaj me radhë gjë që do të rezultojë me uljen e prodhimit dhe ngritjen e nivelit të papunësisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 07, 2020 04:56 Europe/Tirane
  • Ekonomia amerikane e tronditur nga virusi korona

Përhapja e virusit korona është bërë shkak që Amerika, vendi me ekonominë më të madhe në botë, të futet në recesion. Shumë analistë janë të mendimit se recesioni ekonomik në Amerikë do të vazhdojë për muaj me radhë gjë që do të rezultojë me uljen e prodhimit dhe ngritjen e nivelit të papunësisë.

SHBA do marrë një hua prej 3 trilion dollarë në tremujorin e dytë, për të kompensuar kostot e paketave të ndihmës për C ovid-19. Shuma e cilësuar rekord është më shumë se pesë herë më e lartë se huaja e marrë, në kulmin e krizës financiare të vitit 2008. Në vitin 2019, vendi huazoi 1.28 dollarë dollarë. SHBA ka aprovuar rreth 3 trilion dollarë për situatën nga Covid-19, përfshirë fondet shëndetësore dhe pagesa të drejtpërdrejta. Borxhi i përgjithshëm i qeverisë amerikane tani është 25 trilion dollarë. Paketat e fundit të shpenzimeve vlerësohet të jenë me vlerë rreth 14% të ekonomisë së vendit. Qeveria ka zgjatur gjithashtu afatin vjetor të 15 Prillit për pagesat tatimore. SHBA është vendi më i prekur në botë nga Covid-19 me 69,925 viktima dhe 1,212,955 të infektuar. Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se task-forca për koronavirusin do të ndërrojë fokusin, për t’u angazhuar në rihapje të ekonomisë, një ditë pasi ka sugjeruar se ajo mund të shpërbëhet. Ekonomia amerikane, më e madhja në botë, po shënon një rënie të shpejtë në këtë periudhë pandemie, ndërsa një raport i fundit tregon se kompanitë shkurtuan 20,2 milion vende pune nga pagat e muajit prill. Instituti i Kërkimeve ADP tha se humbja e vendeve të punës në muajin prill ishte më e rënda në 18 vitet që instituti studion ekonominë, dhe se ishte sa dyfishi i muajit shkurt i vitit 2009, gjatë recesionit të madh. ADP tha se kompanitë e vogla dhe të mesme shkurtuan miliona vende pune. Por humbjet e vendeve të punës për muajin prill ka të ngjarë të ishin më të mëdha, pasi përllogaritjet e institutit përfundojnë me 12 prill, duke ruajtur të njëjtin ritëm me statistikat e publikuara nga Departamenti i Punës së Shteteve të Bashkuara. 30.3 milionë amerikanë kanë aplikuar për asistencë sociale qëkur vendi u godit nga pandemia, duke detyruar mbylljen e ekonomisë e cila sapo ka filluar të hapet. Miliona amerikanë të tjerë të pushuar nga puna kanë bërë aplikime për programin e pagës për të papunët gjatë gjashtë javëve. Ky numër varion në të 50 shtetet amerikane, por zakonisht arrin në më pak se gjysma e asaj që paguhen normalisht punonjësit. Qeveria amerikane po i paguan të papunët 600 dollarë në javë më shumë gjatë katër muajve të ardhshëm. Ekonomia amerikane ra 4.8 përqind në periudhën janar-mars. Por efektet e pandemisë filluan të regjistrohen vetëm në gjysmën e dytë të marsit. Shpenzimet e familjeve amerikane ranë 7.6 përqind në tremujorin e parë dhe investimet në biznese ranë 8.6 përqind, shifra që të lënë për të dëshiruar. Të enjten publikohen shifrat e reja të papunësisë ndërsa qeveria do të zbulojë të premten gjendjen e përgjithshme të ekonomisë për muajin prill. Disa ekonomistë po parashikojnë se raporti do të tregojë një rënie prej 15-20 përqind të prodhimit të brendshëm nga prilli dhe ndoshta shumë më tepër.