Amerika në pamundësi për të përballuar pasojat ekonomike
Papunësia gjatë muajit prill u rrit në nivelin e paprecedent prej 14,7%, sipas një raporti të ri që publikoi Byroja e Statistikave të Punës të Shteteve të Bashkuara. Kjo është shkalla më e lartë e papunësisë dhe ndryshimi më i madh njëmujor që nga viti 1948, kur Byroja e Statistikave filloi të regjistronte shifrat. Ndërsa ekspertët e Shtëpisë së Bardhë shpresojnë se ekonomia do të rikthehet me shpejtësi, të tjerët nuk janë aq optimistë.
Koronavirusi i ri nuk është vetëm një rrezik për shëndetin, por është shkatërrues edhe për ekonominë amerikane. Numri i vendeve të punës të humbura në Shtetet e Bashkuara arriti në 20.5 milionë në muajin prill. Nuk do të bëhet më mirë në të ardhmen e afërt thotë Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudloë. “Unë mendoj se numrat për muajin maj do të jenë gjithashtu numra shumë të vështirë; do të marrë kohë që rihapja të ketë ndikim”, tha zoti Kudloë. Zoti Kudlow thotë se megjithë humbjen shkatërruese të vendeve të punës, ai sheh një grimcë shprese sepse një numër i të papunëve janë për shkak të pezullimeve të përkohshme. “Kjo nuk garanton se do të ktheheni në vendin e punës, por sugjeron me forcë se lidhja mes punëtorit dhe biznesit është ende e paprekur”, thotë zoti Kudlow. Tregu i aksioneve në Shtetet e Bashkuara ka përjetuar fitime edhe gjatë rritjes së niveleve të papunësisë. Analistja Liz Ann Sonders thotë se ndër arsyet është stimuli i qeverisë… “Mendoj se tregu po funksionon me supozimin se prilli do të jetë muaji më i keq i mbylljes. Mendoj se ka disa rreziqe që lidhen me këtë, si p.sh. një valë e dytë e mundshme e virusit”, thotë Liz Ann Sonders, Shefe e Investimeve Strategjike në firmën “Charles Schwab”. Edhe me rreziqet e vazhdueshme shëndetësore, ka pasur protesta për t’i dhënë fund udhëzimeve për qëndrimin në shtëpi. Shumë shtete po rihapen gradualisht dhe zoti Kudlow thotë se shenjat tregojnë se ekonomia amerikane do ta mbyllë vitin pozitivisht.