Tri padi për të dhënat financiare të Presidentit Trump
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shqyrton të martën tri çështje madhore në lidhje me përpjekjet e Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga demokratët, si dhe të një jurie të madhe që po punon me një prokuror në qytetin e Nju Jorkut, për të marrë kopjet e të dhënave financiare të Presidentit Donald Trump.
Çështja gjyqësore pritet të shërbejë si test i kufijve të pushtetit presidencial në lidhje me Kongresin dhe prokurorët e shteteve amerikane. Ndryshe nga presidentët e fundit, Presidenti Trump ka refuzuar të publikojë deklaratat e tij të taksave dhe materialet e tjera, që do të hidhnin dritë mbi shtrirjen e pasurisë së tij dhe biznesit të familjes së tij me pronat e patundshme. Dy nga tre paditë kanë të bëjnë me përpjekjet e komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve që kërkojnë zbatimin e kërkesës së tyre që presidenti të dorëzojë dokumentacionin financiar të tre bizneseve të tij: firmës së hershme të kontabilitetit Mazars LLP dhe marrëdhëniet me dy banka, Deutsche Bank dhe Capital One. Gjykata e Lartë i ka konsoliduar këto dy çështje dhe do t’i dëgjojë argumentet për to në një seancë të planifikuar të zgjasë një orë. Vendimet përkatëse pritet të jepen deri në fund të qershorit. Për të tri çështjet, gjykatat e niveleve më të ulëta në Uashington dhe Nju Jork vendosën kundër Presidentit Trump.