Grenell: Gjermania po minon rolin frenues bërthamor të NATO-s
https://parstoday.ir/sq/news/world-i97043-grenell_gjermania_po_minon_rolin_frenues_bërthamor_të_nato_s
Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, akuzoi Gjermaninë se po e minon rolin frenues bërthamor të NATO-s.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 14, 2020 16:55 Europe/Tirane
  • Grenell: Gjermania po minon rolin frenues bërthamor të NATO-s

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, akuzoi Gjermaninë se po e minon rolin frenues bërthamor të NATO-s.

Komentet e tij drejtoheshin ndaj partnerëve të rinj në koalicionin e kancelares Angela Merkel, pas thirrjeve të disa prej tyre për çarmatim bërthamor. Rolf Muetzenich, udhëheqës i grupit parlamentar të Social Demokratëve (SPD), bëri thirrje në fillim të këtij muaji për tërheqjen e të gjitha armëve bërthamore amerikane nga Gjermania, një pikëpamje që e ka përçarë partinë e tij me prirje të majta dhe që nuk përkrahet nga konservatorët e zonjës Merkel. Në një shkrim për gazetën gjermane Die Welt, ambasadori Grenell shkruante: “Në vend që të minohet solidariteti, i cili përbën bazën e frenimit bërthamor të NATO-s, është koha që Gjermania të përmbushë angazhimet e saj ndaj aleatëve dhe të investojë pa ndërprerë në pjesëmarrjen bërthamore brenda NATO-s”. “Udhëheqja politike e Gjermanisë, veçanërisht ajo e SPD-së, tani duhet që ta bëjë të qartë se republika federale po i respekton këto angazhime dhe se po qëndron përkrah aleatëve të saj,” shtoi Ambasadori Grenell, i cili është gjithashtu drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare të presidentit Donald Trump. Komentet e tij shënojnë një tjetër moment të sikletshëm në marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit që janë tensionuar shpesh gjatë presidencës Trump. Presidenti i ka bërë presion Gjermanisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe e ka akuzuar Berlinin si “të kapur” nga Rusia për shkak të varësisë energjetike nga Moska.