Mnuchin paralajmëron rënien e ekonomisë amerikane
Pandemia Covid-19, aktualisht ka prekur të gjithë sektorët e shoqërisë amerikane, por në veçanti ekonominë e këtij vendi.
Në sektorin ekonomik, Amerika po përballet me krizën dhe recesionin më të madh të historisë së saj pasi karakteristika si papunësia, mbyllja e qendrave të punës, ulja e aktivitetit të kompanive dhe fabrikave, kanë shkaktuar dëme të shumta në ekonominë e Amerikës. Situata e krijuar e ka detyruar sekretarin amerikan të thesarit të bëjë paralajmërime serioze. Ditën e mërkurë Steven Mnuchin ka paralajmëruar mbi dëmin e jashtëzakonshëm ekonomik që mund të shkaktohet për shkak të virusit korona në Amerikë. Nëse Uashingtoni do të qëndrojë për një kohë të gjatë në pritje të hapjes së ekonomisë për shkak të zgjatjes së virusit Korona, atëherë ekonomia e këtij vendi rrezikon të fundoset, ka thënë në fjalën e tij Steven Mnuchin. Sekretari amerikan i thesarit ka parashikuar kushte shumë të vështira për 3 muajt e ardhshëm por ka nënvizuar faktin se në rast se ekonomia amerikane hapet me kujdes, parametrat mund të përmirësohen. Mnuchin thotë se pritja për një kohë të gjatë për eliminimin e virusit korona, mund të shkaktojë rrëzimin e ekonomisë dhe ndikimin e saj tek shëndeti dhe higjiena. Qeveria Trump pretendon se ekonomia ka nevojë për më shumë mbështetje dhe për këtë ajo do të përcaktojë fonde në shuma të mëdha. Mirëpo përkundër qeverisë Trump shumë funksionarë të lartë të shteteve amerikane janë shprehur kundër hapjes së shpejtë dhe të pakontrolluar të aktiviteteve ekonomike me arsyetimin se një veprim i tillë mund të shkaktojë një valë të dytë të përhapjes së virusit korona. Mirëpo nga ana tjetër rreth 36 milionë amerikanë janë regjistruar si të papunë që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit në SHBA, në mesin e muajit mars. Ekonomistët parashikojnë që niveli i papunësisë të rritet 15%, dhe ndoshta deri në 20%. Ky është niveli më i keq që nga Lufta e Dytë Botërore. Shumica e shteteve në SHBA kanë qenë në izolim të plotë, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Disa shtete kanë filluar ngadalë të rihapin bizneset dhe të tjerët po hartojnë plane për t'i dhënë fund bllokimit. Megjithatë, shumë amerikanë po hezitojnë të shkojnë përsëri në punë, ose të udhëtojnë dhe të hanë në restorante, nga frika e përhapjes së koronavirusit. SHBA është vendi më i prekur nga Covid-19 në botë, ku sipas Worldometers deri më tani janë shënuar 85,408 viktima dhe janë regjistruar 1,435,110 të infektuar. Sipas ekspertëve të universitetit të Uashingtonit, numri i viktimave nga virusi korona në Amerikë deri në muajin gusht 2020 mund të shkojë në 147 mijë njerëz. Duke pasur parasysh këto shifra paralajmërimet e autoriteteve amerikane lidhur me rrezikun e hapjes së aktiviteteve ekonomike janë me vend pasi sipas tyre Trump hapjen e ekonomisë synon ta përdorë si mjet për fushatën elektorale.