Mbi 42 mijë të vdekur në Britani
Mbi 42 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Britani.
Këto janë shifrat e publikuara ditën e sotme nga zyra e statistikave në Britani. Edhe më herët është publikuar një shifër e tillë të cilat nuk janë në koordinim me shifrën zyrtare që ka publikuar ministria e shëndetësisë deri më tani. CNN shkruan se që në fillim të pandemisë ka pasur shumë parregullsi në regjistrimin e shifrave prandaj një luhatje e tillë konsiderohet mëse normale. Nëse një person ka ndërruar jetë 10 ditë më parë, ai mund të regjistrohet ditën e sotme. Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 227 viktima me një total që shkon në 35,023. Numri i të infektuarve në total ka shkuar mbi 246 mijë ndërkohë që edhe numri i të shëruarve rritet nga dita në ditë. Aktualisht në gjendje kritike për jetën janë 1,559 persona. Ndërsa Italia vijon të shënojë bilance të ulëta nga pandemia e COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 162 viktima ku në total numërohen 32,169 të vdekur. Numri i personave që kanë humbur betejën me virusin ka pësuar një rritje në krahasim me ditën e djeshme ku numëroheshin 99 viktima. Në rritje është dhe numri i të shëruarve ku këtë të martë u raportua për 2075 persona që kanë lënë spitalet. Gjithsej, 129,401 persona kanë arritur të fitojnë betejën me COVID-19.