Pheniani: SHBA-ja ta mbylli gojën!
Koreja e Veriut ka kërcënuar Uashingtonin se do të ishte në interesin më të mirë të SHBA-së që të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të gadishullit korean.
Dy ditë më parë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit komentoi raportet mes dy Koreve nisur nga ftohja diplomatike që kanë shkaktuar traktet kritike kundër Phenianit dhe ndihmat që disa ish-të përndjekur koreanoveriorë kanë shpërndarë prej ditësh nga kufiri jugor drejt Veriut. Zyrtari amerikan theksoi marrëdhëniet e ngushta me aleatin e vet, Korenë e Jugut, ndërkohë që shprehu zhgënjim me Phenianin për ndërprerjen e komunikimeve politike dhe ushtarake me fqinjin jugor si pasojë e këtyre incidenteve. Të enjten, Ministria e Jashtme koreanoveriore e konsideroi komentin ndërhyrje në çështjet ndërkoreane. "SHBA-ja fut hundët në punët e të tjerëve me deklarata të pakujdesshme, në vend që të merret me punët e veta të brendshme, kur ka një situatë politike më të trazuar se asnjëherë. Mes nesh ka ende çështje të pazgjidhura dhe nuk ka nevojë që ai të luajë rolin e protektorit të Jugut. SHBA-ja bën mirë ta mbajë gjuhën, do të ishte mirë për interesat amerikanë por edhe për procesin e afërt të zgjedhjeve presidenciale." Pheniani nuk e ka bërë të njohur se si synon ta provokojë Uashingtonin gjatë zgjedhjeve të nëntorit, por raportet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Xhong-un, mbeten pezull pas samiteve dypalëshe të dy viteve të kaluara, që kishin për qëllim çarmatimin bërthamor të gadishullit korean dhe heqjen e sanksioneve ekonomike.