Rusia kundërshton rezolutën e ANEA kundër Iranit
Ambasadori rus dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në Organizatat Ndërkombëtare me seli në Vjenë, Mikhail Ulyanov, në një deklaratë hodhi poshtë çdo provë në lidhje me aktivitetet bërthamore të padeklaruara të Iranit në dy sajtet e cituara nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.
Nuk ka asnjë provë që Irani po kryen aktualisht aktivitete të padeklaruara bërthamore në këto vende, tha Ulyanov duke shtuar: "Agjencia nuk ka çështje të tjera, siç konfirmohet nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ANEA për Masat mbrojtëse, Massimo Aparo gjatë konferencës teknike që u zhvillua në 10 qershor." "Të gjithë e dinë një nga parimet kryesore të etikës mjekësore, i cili thotë -Mos bëj dëm. Kjo sigurisht vlen për punën e ANEA për çështjet e masave mbrojtëse," thuhet në deklaratën e Ambasadorit rus në Vjenë. "Zbatimi i masave mbrojtëse ka për qëllim forcimin e regjimit të mos-përhapjes së armëve bërthamore, dhe jo anasjelltas," tha Ulyanov. "Ne kemi vërejtur ndryshime cilësore në projekt-rezolutën e paraqitur nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe," vuri në dukje ai. Diplomati rus më tej deklaroi: "Në të njëjtën kohë, analiza jonë gjithëpërfshirëse e situatës çoi në përfundimin se miratimi i ndonjë rezolute për këtë çështje nuk do të sjellë një rezultat pozitiv". "Përkundrazi, ka shumë të ngjarë që situata të bëhet edhe më e ndërlikuar", tha Ulyanov. "Është thjesht kundërproduktive dhe mund të ketë pasoja të kundërta me qëllimet e deklaruara," theksoi ai.