Zyrtarët ushtarakë grekë paralajmërojnë Turqinë
Zyrtarët ushtarakë grekë kanë paralajmëruar mbi veprimet e rrezikshme turke në Detin Egje.
"Lufta me Turqinë nuk do të kufizohet në detin Egje, por do të shtrihet në fronte të tjera," paralajmëroi Konstantinos Floros, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Greke. Ministri Grek i Mbrojtjes, Nikos Panajotopulos tha gjithashtu se vendi ishte i gatshëm të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Turqisë, në mënyrë që të ruajë sovranitetin e tij dhe shtoi: Athina po monitoron lëvizjet e fundit në rritje të Ankarasë. Ministri Grek i Mbrojtjes tha se konflikti i mundshëm i Turqisë me forcat e armatosura greke do të jetë shumë i kushtueshëm për Ankaranë. Përveç operacioneve ushtarake të Turqisë në Mesdhe, aktivitetet e saj të shpimit në brigjet e Qipros dhe Greqisë kanë përkeqësuar situatën në Mesdheun lindor. Ndërkohë, tensionet midis Turqisë, Greqisë dhe Qipros mbi burimet e hidrokarbureve të Mesdheut Lindor janë përshkallëzuar pas një marrëveshjeje detare midis Turqisë dhe qeverisë së unitetit kombëtar të Libisë. Ankaraja tashmë ka filluar shpimin për naftë në rajon, duke mos marrë parasysh sovranitetin e Qipros dhe Greqisë.