Krerët e Turqisë dhe Greqisë ulin tensionet mes dy vendeve
https://parstoday.ir/sq/news/world-i98120-krerët_e_turqisë_dhe_greqisë_ulin_tensionet_mes_dy_vendeve
Drejtuesit e Greqisë dhe Turqisë folën me telefon të premten pas disa muajsh tensionesh në rritje midis dy vendeve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 26, 2020 16:35 Europe/Tirane
  • Krerët e Turqisë dhe Greqisë ulin tensionet mes dy vendeve

Drejtuesit e Greqisë dhe Turqisë folën me telefon të premten pas disa muajsh tensionesh në rritje midis dy vendeve.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u përqëndruan te pasojat e pandemisë së koronavirusit dhe çështjeve që lidhen me rihapjen e kufijve dhe vizitat turistike pas përfundimit të bllokimeve të shkaktuara nga virusi, tha zyra e Mitsotakis. Të dy "ranë dakord që të mbajnë hapur kanale bilaterale të komunikimit", tha ajo në një deklaratë. Tensioni ka qenë i lartë midis dy fqinjëve dhe aleatëve të NATO-s në muajt e fundit. Greqia ka akuzuar Turqinë për përdorimin e migrantëve për të bërë presion ndaj Greqisë, pasi Ankaraja deklaroi në fund të shkurtit se kufijtë e Turqisë me Bashkimin Evropian ishin të hapura për të gjithë ata që donin të kalonin. Mijëra migrantë u mblodhën në kufirin e Turqisë me Greqinë, duke kërkuar të lejoheshin për tu futur. Skena të ngjashme nuk shfaqeshin në kufirin e Turqisë me Bullgarinë anëtare të BE-së. Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje për të drejtat e kërkimit të naftës dhe gazit në Mesdhe dhe për çështje territoriale në Detin Egjet. Të dyja kanë shkuar në prag të luftës tre herë që nga mesi i viteve 1970. Sipas një zyrtari në Athinë, dy udhëheqësit nuk diskutuan asgjë lidhur me mosmarrëveshjet, por ranë dakord që niveli i tensionit ishte shumë i lartë dhe se komunikimi i drejtpërdrejtë në nivelin më të lartë do të ishte i dobishëm dhe duhet të vazhdojë. Diskutimet u përqendruan në bisedime më të gjera brenda BE për qasjen e shtetasve nga vendet e treta kur kufijtë hapen për turistët. Zyrtari tha se Greqia në parim nuk kundërshton mbështetjen e përfshirjes së Turqisë në listën e vendeve që do të kishin qasje.