Libi: Turqia do të humbasë përballë Egjiptit
(last modified Fri, 26 Jun 2020 21:02:03 GMT )
Qershor 26, 2020 23:02 Europe/Tirane
  • Libi: Turqia do të humbasë përballë Egjiptit

Egjipti mbështet gjeneralin Khalifa Haftar i cili po lufton qeverinë e Bashkimit Kombëtar Libian (GNA) të udhëhequr nga Fajez Sarraj.

Turqia mbështet GNA, dhe e di se ndërhyrja direkte do të ishte e kushtueshme për shkak të nevojës për të transportuar trupat e saj me anije. Për më tepër, përfshirja turke në Siri është jopopullore në Turqi, kështu që dërgimi i ushtarëve turq në Libi do të ishte politikisht i vështirë. Sipas raportimeve, Turqia ka dërguar në Libi mercenarë që luftonin kundër ushtrisë siriane në veri të Sirisë. Por një gabim mund të shkaktojë një konfrontim të drejtpërdrejtë. Haftar iu afrua Tripolit dimrin e kaluar, por pësoi shumë disfata dhe u desh të tërhiqej në Sirenaica në Lindjen e Libisë. Për momentin, ekziston një linjë në Sirte, në mes të vendit, të cilën trupat GNA nuk po e kalojnë. Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sissi, paralajmëroi GNA-në që të mos kalonte në Sirte. Dhe Egjipti është shumë i irrituar nga aftësitë e dobëta ushtarake të Haftarit. Nëse Kajro vendos ta zëvendësojë atë, kjo mund të krijojë tensione dhe një konflikt të ri. Në rast se supozohet një konfrontim ushtarak midis Egjiptit dhe Turqisë në linjën "Sirte-Al-Xhafra" ose në veri të rripit bregdetar Libian, studiuesi ushtarak egjiptian Mohamed Al-Kinani vlerësoi se kjo do t'i shkaktonte ushtrisë turke "humbje të mëdha". Studiuesi egjiptian tha se pala turke është ajo që do të përdorë burimet tokësore, detare dhe ajrore, për shkak të distancave të gjata mbi të cilat do të detyrohet të sigurojë linjat e furnizimit dhe mbështetjen logjistike të forcave të saj detare dhe ajrore me një kosto kolosale financiare. "Por forcat e armatosura egjiptiane do të luftojnë afër brigjeve dhe tokave të tyre dhe hapësirës ajrore të tyre, dhe në një terren të njohur çka përfaqëson një thellësi të drejtpërdrejtë strategjike, e cila u lejon atyre të formojnë linja mbrojtjeje të kombinuara. Egjipti gëzon një pozitë mbizotëruese dhe shumë hapësirë ​​për manovrim pasi forcat e tij janë të gatshme të fusin në kurth turqit dhe të shkaktojnë humbje të mëdha mbi ta ", shton ai. Sipas tij, ushtria egjiptiane me siguri do të ketë aftësinë të kompensojë humbjet dhe kështu të sigurojë linjat e furnizimit dhe mbështetjen logjistike, dhe kjo, në distanca shumë më të shkurtra se sa pala turke. "Nuk është pa qëllim që Egjipti përcaktoi linjën e tij të kuqe, por përkundrazi në bazë të planifikimit dhe një pozicioni strategjik të studiuar në nivele të ndryshme dhe me legjitimitet të plotë ndërkombëtar dhe rajonal", tha analisti ushtarak egjiptian Mohamed Al-Kinani.

 

Tags