Partia e Makron humbet në zgjedhjet lokale
https://parstoday.ir/sq/news/world-i98185-partia_e_makron_humbet_në_zgjedhjet_lokale
Zgjedhjet lokale në Francë, rezultuan me disfatën e partisë së Makron ndërkohë që pjesëmarrja e votuesve ishte shumë e dobët dhe e pashembullt.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Qershor 29, 2020 09:34 Europe/Tirane
  • Partia e Makron humbet në zgjedhjet lokale

Zgjedhjet lokale në Francë, rezultuan me disfatën e partisë së Makron ndërkohë që pjesëmarrja e votuesve ishte shumë e dobët dhe e pashembullt.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale në Francë tregojnë fitore të partisë së të gjelbërve dhe disfatë të rëndë të partisë së presidentit Emanuel Makron, thotë televizioni France Press. Francezët i janë drejtuar kutive të votimit për të përcaktuar kryebashkiakët e tyre për gjashtë vitet e ardhshme. Raundi i balotazhit u shty në muajin mars për shkak të shpalljes së emergjencës nga pandemia e koronavirusit. Partia e presidentit Makron rrezikon të ardhmen politike. Në Francë po mbahen balotazhet për bashkitë dhe këshillat bashkiakë të vendit pas më shumë se tre muajve shtyrje për shkak të pandemisë së koronavirusit. Procesi nisi të dielën mes më shumë se 157 mijë kandidatëve në afro 5 mijë qytete dhe komuna të cilat në raundin e parë nuk nxorën asnjë fitues me mbi 50 për qind të votës. Zgjedhjet shihen si test edhe për të ardhmen politike të presidentit Emanuel Makron dy vite nga mbarimi i mandatit dhe zgjedhjet e reja presidenciale. Lëvizja e jelekverdhëve, grevat e ndryshme, protestat kundër reformës së pensioneve dhe reagimi ndaj krizës epidemike të koronavirusit mendohet se kanë dëmtuar shumë prej kandidatëve të tij, duke u mohuar atyre raundin e dytë në qytetet më të mëdha. Vetë kryeministri francez, Eduard Filip, po kandidon për një nga bashkitë veriore të Normandisë, dhe në varësi të rezultatit rrezikon edhe riformatimin e kabinetit aktual qeverisës. Ndërkohë, kryebashkiakja socialiste e Parisit, An Idalgo, e hodhi votën në një nga vendvotimet e kryeqytetit me synimin për ta rifituar bashkinë kryesore për herë të dytë. Raundi i parë i votimeve lokale në Francë u mbajt më 15 mars dhe teksa vendi përgatitej një javë më pas për garën përfundimtare, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme prej kovidit. Gjatë ditës së diel, të 872 qendrat e votimit në kryeqytet u pajisën me mjete mbrojtëse si maskat dhe xheli dezinfektues për votuesit.