BE dhe Amerika akuzojnë Rusinë për rezultatin e referendumit
BE dhe Amerika kanë akuzuar Rusinë për manipulim të mundshëm të rezultatit të referendumit.
Zëdhënësi i BE ka pretenduar se raportet dëshmojnë për manipulime në procesin e votimit në referendum sic shkelja e privatësisë së votës dhe dhuna e policisë ndaj gazetarëve që monitoronin votimin. DASh gjithashtu ka pretenduar se procesi i votimit për referendum në Rusi ka probleme pasi ekzistojnë raporte mbi detyrimin e njerëzve për të marrë pjesë në referendum. Presidenti Vladimir Putin ka siguruar një votë plebishitare në referendumin për reformën kushtetuese, që i zgjat atij qëndrimin në pushtet për 12 vite të tjera pas 2024-ës. Rreth 78 përqind e votuesve rusë e kanë miratuar reformën e thellë kushtetuese që lejon presidentin Vladimir Putin të garojë edhe dy herë të tjera për postin e kreut të shtetit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi informoi të enjten se gati 21 për qind e qytetarëve me të drejtë vote u shprehën kundër propozimeve ideologjike, sociale dhe institucionale që i rritin kompetencat vendimmarrëse parlamentit, i lejojnë presidentit të vendosë kursin e politikës të brendshme dhe të jashtme, rritin pensionet dhe pagën minimale, futin konceptin e Zotit në kushtetutë dhe ndalojnë martesat gej. Procesi njëjavor i votimit nisi të enjten e kaluar i kushtëzuar nga epidemia e koronavirusit, ndonëse ishte planifikuar të mbahej në muajin prill. Me gjithë mbështetjen e madhe popullore, ai nuk kaloi pa probleme. Ggrupimet opozitare kundërshtuan veçanërisht pikën që zeron 4 mandatet aktuale presidenciale të 67-vjeçarit Putin, duke i mundësuar atij qëndrimin si president deri më 2036-ën, pas 20 vjetëve në pushtet. Vetë Putini nuk është shprehur a do të garojë sërish për poste pas 2024-ës, kur i mbaron mandati. Pjesëmarrja në referendumin për ndryshimet kushtetuese ishte rreth 65 për qind, përqindje e lartë kjo për Rusinë kur dihet se vendi përballet me një krizë pandemie të kovidit që ka prekur 650 mijë veta dhe ka vrarë 9,500 qytetarë të tjerë.