Turqia kërkon ekstradimin e mbi 800 gulenistëve nga 105 vende
(last modified Mon, 13 Jul 2020 19:07:11 GMT )
Korrik 13, 2020 21:07 Europe/Tirane
  • Turqia kërkon ekstradimin e mbi 800 gulenistëve nga 105 vende

Ministria turke e Drejtësisë ka kërkuar nga 105 vende, përfshirë SHBA dhe Gjermaninë, të ekstradojnë më shumë se 800 persona të lidhur me një lëvizje të udhëhequr nga kleriku i opozitës me banim në Amerikë, Fethullah Gulen, të cilin qeveria e Ankarasë e akuzon se ka organizuar përpjekjen për grusht shteti në korrik 2016 kundër Presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Agjensia zyrtare e lajmeve e Turqisë, Anadolu, raportoi të hënën se Ankaraja tashmë ka dërguar gjithsej 856 dosje ekstradimi në shtete të ndryshme të botës, dhe deri më tani ka kërkuar ekstradimin e 156 gulenistëve nga SHBA, dhe 257 të tjerë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Raporti shtoi se kërkesat për ekstradim u bënë në Gjermani për 77 persona, e ndjekur nga Greqia për 64 dhe Belgjika për 36 të tjerë. Pas kërkesave, 116 Gulenistë në 27 vende u janë dorëzuar autoriteteve turke. Gjithashtu të hënën, autoritetet turke lëshuan urdhër-arreste për 24 të dyshuar mbi lidhjet e tyre të pretenduara me lëvizjen Gulen, e cila vlerësohet nga Ankaraja si një organizatë terroriste dhe është quajtur si Organizata terroriste Fetullah.

 

Tags