Mbi 17.6 milionë të infektuar në të gjithë botën
Në të gjithë botën numri i personave të prekur nga COVID-19 ka arritur në më shumë se 17.6 milionë sipas statistikave të universitetit Johns Hopkins.
SHBA vazhdon të udhëheqë me më shumë se 4.5 milionë të infektuar, ndjekur nga Brazili me 2.6 milionë raste dhe India me rreth 1.7 milionë prej fillimit të pandemisë. Meksika ka zëvendësuar Britaninë duke u renditur e treta në botë për nga numri i vdekjeve nga COVID-19. Në Meksikë kanë humbur jetën mbi 46 mijë vetë. SHBA vazhdon të udhëheqë në nivel botëror për nga numri i vdekjeve si pasojë e virusit, me më shumë se 153 mijë raste. Media ruse njoftoi se Moska po përgatitet të nisë një fushatë vaksinimi masiv kundër koronavirusit në shtator ose tetor. Njoftimet i referohen burimeve sipas të cilave vaksina është zhvilluar në një institucion kërkimor shtetëror. Kreu i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus e ka cilësuar pandeminë e koronavirusit si një krizë që ndodh një herë në shekur por efektet e saj do të ndihen për dekadat e ardhshme. Ai i ka bërë këto komente përgjatë një takimi të Komitetit për Emergjenca të OBSH-së, i cili ka shpallur krizën shëndetësore gjashtë muaj më parë. Por pavarësisht pasojave të rënda që ka sjellë ky virus, Tedros shpreh me keqardhje se shumë persona në të gjithë botën kanë ende dyshime mbi ekzistencën e këtij virusi.