Rusia fillon prodhimin masiv të vaksinës anti COVID-19
Ministria e Shëndetësisë e Rusisë njoftoi se ka filluar prodhimin masiv të vaksinës së re kundër virusit COVID-19.
Në një njoftim për shtyp, ministria tha se vaksina do të dalë në shitje në fund të muajit gusht. Më shumë se 20 vende tashmë kanë porositur një miliard doza. Sipas mediave ruse, vaksina ruse është plotësisht artificiale, pra nuk përmban asnjë element të koronavirusit, dhe pretendohet se mund të sigurojë mbrojtje kundër sëmundjes për një periudhë prej dy vjetësh. Të parët që do ta marrin atë do të jenë stafi mjekësor dhe mësuesit rusë. Fillimi i prodhimit pas më pak se dy muajsh testim në njerëz, ka shkaktuar thirrje për durim, por edhe interes nga mbarë bota. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore ruse flasin për procesin e para- kualifikimit të mundshëm të vaksinës nga kjo Organizatë, përkatësisht kontroll të rreptë dhe vlerësim të të gjitha informacioneve të nevojshme për siguri dhe efikasitet. Presidenti Vladimir Putin tha më parë se vaksina ka kaluar të gjitha kontrollet e kërkuara. Vaksina është emëruar Sputnik V për nder të satelitit të parë në botë i quajtur Sputnik.