Lukashenko përcakton kushte për riorganizimin e zgjedhjeve
Presidenti i Bjellorusisë i cili më parë kishte refuzuar mundësinë e riorganizimit të zgjedhjeve tha se pas miratimit të kushtetutës së re mund të organizohen zgjedhje të reja presidenciale.
Ai tha se puna për përpilimin e kushtetutës së re vazhdon. Lukashenko tha se është gati të heqë dorë nga disa prej kompetencave të tij mirëpo kjo nuk duhet të bëhet shkak për presione dhe protesta në rrugë. Operatorë të ndryshëm ekonomikë janë ngritur në grevë kundër presidentit bjellorus Aleksandrër Lukashenko. Kryeopozitarja që u arratis javën e kaluar nga vendi pasi i rrezikohej ka propozuar të marrë ajo udhëheqjen e vendit deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja. Në Bjellorusi ka nisur një grevë e përgjithshme kundër presidentit Aleksandër Lukashenko, teksa opozita ka propozuar që ta marrë ajo përsipër udhëheqjen e vendit. Punonjësit e televizionit shtetëror iu bashkuan të hënën presionit qytetar duke braktisur punën, në shenje proteste ndaj censurës dhe rezultatit të zgjedhjeve të fundit presidenciale. Gjatë një vizite në një fabrikë të kryeqytetit, punëtorët e revoltuar i kërkuan Lukashenkos të largohej, ndërsa po në Minsk, 5 mijë punonjës të një uzine traktorësh demonstruan si të premten e kaluar me thirrjet për dorëheqjen e kreut të shtetit. Një ditë më parë, mijëra qytetarë bjellorusë denoncuan tentativën e presidentit për të marrë një mandat të gjashtë, pas 26 viteve në pushtet. Kryetarja e re e pakicës politike, Svetlana Tikanovskaja, apeloi të hënën personat me uniformë dhe policinë e shtetit të mos e mbështetin kryeshtetarin 65-vjeçar por të mbajnë anën e popullit.