Joe biden zyrtarisht kandidat i demokratëve për zgjedhjet në Amerikë
Në takimin e konventës kombëtare të partisë demokratike, Joe Biden është shpallur zyrtarisht kandidati demokrat për president.
Demokratët amerikanë kanë hapur Kuvendin e tyre Kombëtar për të zyrtarizuar mbështetjen pas kandidatit të vet për president, Joe Biden. Ish-zonja e parë e vendit, Mishel Obama, thotë se Donald Trump është presidenti i gabuar për vendin. Opozita amerikane provoi të hënën se qëndron e përbashkuar në misionin për ta larguar nga karrigia e presidentit shefin aktual të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit. Dita e parë e Kuvendit Kombëtar të Demokratëve u mbajt virtualisht dhe pa praninë e mbështetësve në rrethanat e një pandemie që ka vrarë mbi 170 mijë amerikanë deri tani. Gjatë tri ditëve të ardhshme, personalitetet më të larta të partisë pritet të zyrtarizojnë kandidaturën e ish-zv.presidentit, Joe Biden, për garën drejt zyrës ovale. Në kuvendin e demokratëve të hënën pati edhe performanca muzikore me mesazhe të forta kundër racizmit, siç e dëshmoi edhe prania e vëllait të George Floyd, afroamerikanit të vrarë në muajin maj nga një polic, dhe ngjarje e cila nxori përsëri në pah tensionet racore në vend. Gjendja ekonomike, homazhet për viktimat e koronavirusit, denoncimi i dhunës policore dhe evidentimi i të metave të presidentit Trump dhe rreziqet që ai i kanos demokracisë ishin temat që dominuan edhe ligjëratat e demokratëve të tjerë. Në një tubim me përkrahësit e vet në shtetin e Mineapolisit, Trump i thumboi rivalët demokratë për formatin e sajuar, duke u kapur me ironi pas faktit se të gjitha fjalimet e folësve ishin të regjistruara dhe të mirëmenduara për të provokuar ndjenjat e elektoratit blu.