Tregtia globale në pikiatë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i99596-tregtia_globale_në_pikiatë
Tregtia globale pësoi rënie historike në tremujorin e dytë, periudhë kur edhe kulmoi pandemia e koronavirusit në botë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 19, 2020 16:46 Europe/Tirane
  • Tregtia globale në pikiatë

Tregtia globale pësoi rënie historike në tremujorin e dytë, periudhë kur edhe kulmoi pandemia e koronavirusit në botë.

Organizata Botërore e Tregtisë njoftoi se trajektorja e shitblerjes së mallrave në muajin qershor zbriti 18,6 pikë nga viti në vit, duke rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2007 e duke barazuar rezultatin e viteve të krizës financiare, 2008-2009. Në baza tremujore, Barometri i OBT-së për Tregtinë e Mallrave tregon se volumi i mallrave në fund të gjashtëmujorit u reduktua me 14 %. Për pasojë, shigjeta e barometrit në qershor zbriti në vlerën 84,5 pikë nga 100 që simbolizon rendimentin në kohë reale të tregtisë globale. Të gjithë komponentët e sivjetëm mbetën nën nivel, por indeksi i shitblerjes së automjeteve dhe ai i transportit të mallrave nga ajri pësuan rëniet më të forta si pasojë e kufizimit të lëvizjeve prej koronavirusit, duke zbritur përkatësisht me -28 dhe -23 pikë nga vlera mesatare. Dobësi paraqiti edhe transporti nëpërmjet detit, teksa porositë për eksport u rritën ndërsa indekset për komponentët elektronikë dhe materialet bruto qëndruan në vlera pozitive. Me optimizëm, OBT-ja parashikon që aktiviteti tregtar në botë të fillojë të rimëkëmbet vitin që vjen, por ekziston rreziku që pasojat ekonomike nga pandemia e kovidit-19 të shtrihen në kohë. Asnjë vend i rëndësishëm i botës nuk ka mundur t’i kursejë dëmet në ekonomi nga përhapja e koronavirusit në popullatë. Në Europë, Spanja në tremujorin e dytë të vitit raportoi një tkurrje me 18,5 % të ekonomisë së vet, ndjekur nga Portugalia, Franca dhe Italia, pa përjashtuar edhe uljen me 10 % të aktivitetit tregtar në Gjermani. Banka Botërore për 2020-ën parashikon recesionin më të thellë me dekada, që do e tkurrë ekonominë e planetit me më shumë se 5%.