BE nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve në Bjellorusi
BE ka marrë vendim për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve në Bjellorusi.
Të mërkurën Bashkimi Evropian tha se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi, proces që kritikët e Presidentit Aleksandër Lukashenko thonë se ishte i manipuluar për të zgjatur 26 vitet në pushtet të tij. BE-ja tha gjithashtu se do të vazhdojë me planet për t’i vendosur sanksione Bjellorusisë. “BE-ja do t’u vendosë së shpejti sanksione një numri të konsiderueshëm personash përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel pas një takimi të jashtëzakonshëm të vendeve të bllokut, për të diskutuar rreth krizës në Bjellorusi. Më vonë Kancelarja gjermane Angela Merkel u tha gazetarëve se BE-ja mbështet protestuesit paqësorë në Bjellorusi dhe një zgjidhje të negociuar të trazirave. “Për ne është e qartë se Bjellorusia duhet të gjejë rrugën e saj. Kjo duhet të ndodhë përmes dialogut në vend dhe nuk duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë. Njerëzit në Bjellorusi e dinë se çfarë duan dhe çfarë është e mirë për ta”, tha zonja Merkel. Zoti Lukashenko ka akuzuar Perëndimin për financimin e protestuesve dhe urdhëroi agjentët e sigurisë të “zbulojnë e të ndalojnë nxitësit dhe organizatorët e trazirave”. “Nuk duhet të ketë më trazira në Minsk të çfarëdo lloji qofshin”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “Belta” duke iu referuar komenteve të bëra nga Presidenti Lukashenko.