Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione ndaj 24 kompanive kineze
Departamenti Amerikan i Tregtisë ka njoftuar se ka vendosur sanksione ndaj 24 kompanive kineze me justifikimin e kryerjes së ndërtimeve me karakter ushtarak në Detin e Kinës së Jugut.
Departamenti Amerikan i Tregtisë tha në një deklaratë se po vendos sanksione ndaj 24 kompanive kineze për ndihmën e dhënë ushtrisë kineze në ndërtimin e ishujve artificialë për qëllime ushtarake në Detin e Kinës së Jugut. Në një deklaratë të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo njoftoi ndalimin e vizave për një numër të shtetasve kinezë që dyshohet se morën pjesë në militarizimin e Detit të Kinës së Jugut. Ndërsa tensionet në Detin e Kinës së Jugut javët e fundit janë rritur, ushtria amerikane ka ndërhyrë duke dërguar një grup anijesh luftarake, përfshirë aeroplanmbajtësen Ronald Reagan, për një stërvitje provokuese në rajon. Ushtria kineze gjithashtu njoftoi se nga e Marta do të organizojë një stërvitje ushtarake e cila do të mbahet në katër zona, përfshirë Detin e Kinës së Jugut dhe Detin e Verdhë. Qeveria kineze më parë ka paralajmëruar për ndërhyrjen e SHBA në zhvillimet në Detin e Kinës së Jugut.