Jep dorëheqjen kryeministri i Japonisë
(last modified Fri, 28 Aug 2020 18:14:28 GMT )
Gusht 28, 2020 20:14 Europe/Tirane
  • Jep dorëheqjen kryeministri i Japonisë

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka vendosur të japë dorëheqjen për arsye shëndetësore, pas gati 8 viteve në kryesim të ekonomisë së tretë më të madhe të botës.

Në konferencën për shtyp, 65-vjeçari tha të premten se problemet e fundit me kolitin, një sëmundje kronike që e shoqëron prej vitesh, e kanë shpërqendruar nga puna e tij në qeveri. Ai deklaroi se një zëvendësues i ri do duhet të vijojë axhendën e rritjes dhe reformave ekonomike që ai nisi në vitin 2012. “Më është dashur ta luftoj këtë sëmundje dhe të trajtohem, por duke mos pasur një shëndet të përsorur, sërish më prisnin vendime të rëndësishme politike. Unë nuk i pranoj gabimet në vendimmarrje, ndaj me mbështetjen e publikut, po e ndërpres detyrën si kryeminsitër.” Hamendësimet për largimin e Shinzo Abes u shtuan këto javë pas vizitave të njëpasnjëshme të kryeministrit në spital. E njëjta sëmundje e detyroi të dorëhiqej në mesin e mandatit edhe në vitin 2007, por këtë herë gjendja e tij shëndetësore mendohet se u përkeqësua nga stresi i pandemisë së koronavirusit, që opozita dhe opinioni publik në Japoni mendon se qeveria nuk e ka administruar mirë. Shinzo Abe njihet për platformën e stimulimit të ekonomisë nëpërmjet lehtësirave monetare dhe shpenzimet, për lëvizjet diplomatike dhe për mbështetjen e forcave të armatosura. Por anëtarë të qeverisë së tij, ndër vite nuk i kanë shpëtuar dot skandaleve të korrupsionit dhe nepotizmit. Me kritika është pritur edhe riinterpretimi që kryeministri i bëri Kushtetutës vite më parë, duke lejuar ndërhyrjet në mbrojtje të aleatëve në rast lufte, edhe pse ligji themelor ishte paqedashës. Këto ndasi u pasqyruan të premten edhe te qytetarët kur mësuan për kryeministrin e tyre. “U habita. Dukej i lodhur por nuk mendoja se do dorëhiqej. Do doja të punonte më fort dhe më gjatë. “Është për të ardhur keq se po punonte mirë kundër koronavirusit. “Kam dashur prej kohësh që të largohet. Gjithçka e bëri gabim, sidomos amendimin e Kushtetutës. Ai nuk e mbrojti atë dhe unë nuk ia fal.” Gara për shefin e ri të Partisë Liberale Demokratike në Japoni pritet të mbahet në dy javët e ardhshme, kohë gjatë së cilës Shinzo Abe ka thënë se do qëndrojë në detyrë. Pasardhësi i tij do e udhëheqë qeverinë deri në zgjedhjet e shtatorit të vitit të ardhshëm.

Tags