Tensionet midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian mbi Greqinë
Tensionet midis Turqisë dhe Greqisë rreth kërkimit të naftës dhe gazit në Mesdheun lindor dhe mosmarrëveshjet rreth shfrytëzimit të burimeve energjetike të detit kanë tensionuar marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Brukselit, veçanërisht pasi Bashkimi Evropian mbështeti Athinën kundrejt Turqisë.
Nënpresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) për drejtësi dhe barazi në vazhdën e tensioneve në Mesdheun Lindor. Në një intervistë ekskluzive me Anadolu Agency (AA), Oktay tha: "Turqia pret drejtësi nga BE-ja. Bazuar në këtë drejtësi, askush të mos presë që Turqia të bëjë hap mbrapa”. “Nëse përpjekjet e Greqisë për t’i zgjeruar ujërat e saj territorial me 12 milje nuk është shkas lufte, atëherë çfarë është?" tha më tej Oktay, duke theksuar se vendi "do të mbrojë të drejtat e tij në çdo metër katror në ujërat e Mesdheut Lindor, cilido qoftë çmimi”. “Fatkeqësisht, Evropa, lëre që nuk është në anën e Turqisë dhe interesave tona, por nuk mbajmë mend të mos ketë reaguar”, theksoi ai. Ai më herët e cilësoi si pasinqeritet faktin që “BE-ja bën thirrje për dialog, ndërsa nga ana tjetër ndjek plane të tjera” në lidhje me aktivitetet në Mesdheun Lindor. “Ne e njohim mirë gjuhën e paqes dhe diplomacisë, por nuk do të hezitojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e Turqisë. Franca dhe Greqia janë midis atyre që e dinë këtë më mirë”, shtoi nënpresidenti turk. Greqia ka kundërshtuar eksplorimet aktuale të energjisë së Turqisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të kufizojë territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël afër bregdetit turk. Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije kërkimore për të eksploruar energji në shelfin e saj kontinental, duke thënë se Ankaraja dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon. Pas përpjekjeve diplomatike të Gjermanisë, Turqia ndaloi aktivitetet në rajon, megjithatë, ajo rifilloi kërkimin e energjisë në fillim të këtij muaji në Mesdheun Lindor pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme të demarkimit të kufirit detar. Ankaraja ka thënë gjithashtu se burimet e energjisë pranë ishullit të Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), e cila i ka dhënë licencë kompanisë shtetërore të naftës Turkish Petroleum, dhe administratës qipriote greke të Qipros Jugore. Për herë të parë ministrat e Jashtëm të BE po mendojnë të ngrenë sanksione kundër Ankarasë për shkak të kërkimeve për gaz dhe naftë në Mesdhe. Njoftimi i Joseph Borell se BE në takimin e ardhshëm pas tre javësh në Bruksel do të konsultohet për sanksione kundër Turqisë, po shihet si kthesë e fortë në politikën e BE dhe si një sukses diplomatik i Greqisë dhe Qipros. Të dyja vendet kishin kërkuar sanksione për shkak të kërkimeve testuese për gaz të Turqisë në Mesdhe dhe prezencën e anijeve luftarake turke. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias u shpreh i kënaqur. Ky nuk është sukses vetëm për Greqinë, por për të gjithë BE. Ne gjendemi në pjesën juglindore të Mesdheut para agresioneve turke, që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe atë detare. Nëse Turqia nuk kthehet tek arsyeja, dialogu dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare, atëherë në rend të ditës vijnë sanksionet”, u shpreh ai. “Nëse anijet luftarake turke radarin orientues për goditje e drejtojnë tek fregatat greke apo franceze, sa e rrezikshme është vërtet gjendja? Franca pas një incidenti të tillë dërgoi anije luftarake në Egjeun lindor. “Problemi është se Turqia nuk i njeh kufijtë, ata janë e drejta ndërkombëtare dhe ajo detare. Duhet të tregohet limiti. Turqia duhet të kuptojë, se nuk mund të jetojë kështu pa njohur të drejtën ndërkombëtare. Kjo është e rrezikshme, jo vetëm për rajonin, por për të gjithë botën”, tha Dendias. Borrell theksoi se mund të veprohet kundër personave të caktuar, kundër pasurisë, si anijet, mund t’i ndalohet Turqisë përdorimi i porteve evropiane apo qasja në teknologji dhe furnizim. Por para së të arrihet deri këtu, Borrell si edhe ministri i Jashtëm gjerman, Maas theksuan, se duhet të kërkohet edhe njëherë rruga diplomatike për arritjen e një ujdie.