Ministri i Jashtëm grek në Prishtinë
(last modified Fri, 09 Oct 2020 18:24:33 GMT )
Tetor 09, 2020 20:24 Europe/Tirane
  • Ministri i Jashtëm grek në Prishtinë

Greqia dhe Turqia kanë lënë pas retorikën e luftës dhe tani duket se janë gati të ulen në bisedime. Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, tha nga Prishtina ku ndodhej për vizitë zyrtare, se takimi i radhës do të zhvillohet në Turqi, ndërsa pret që homologu i tij turk Mevlüt Çavuşoğlu të caktojë edhe datën e këtyre bisedimeve.

Ankaraja ka tërhequr nga Mesdheu Lindor një anije kërkimi për hidrokarburet dhe Athina e ka vlerësuar këtë si një gjet vullnetmirë që i hap rrugën dialogut. Nga Prishtina ku zhvilloi një vizitë zyrtare, ministri i Jashtëm grek Dendias tha se me homologen e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, diskutoi për çështje që lidhen me stabilitetin dhe sigurinë në rajon, dialogun Prishtinë-Beograd, por edhe mundësitë e bashkëpunimit me të Kosovës me Greqinë. “Në veçanti, ne patëm diskutime mbi çështjet e energjisë dhe rritjen e transaksioneve tona financiare. Qeveria po bën përpjekje të mëdha për ta bërë Greqinë një qendër energjetike për rajonin e Ballkanit,” tha Dendias. Ky zotim i tij vjen ndërsa Bashkimi Europian shpalli Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, për të cilin ka mobilizuar menjëherë 9 miliardë euro dhe pret që brenda katër vjetëve fondi i investimeve të rritet me 20 miliardë euro. Për ministren e Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, vizita e kryediplomatit grek jep një mesazh të qartë se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve po thellohen jo vetëm për integrimin europian, por edhe në bashkëpunimin ndërshtetëror.

 

Tags