Gjermania thirrje vendeve të BE-së: Miratoni çeljen e negociatave me Shqipërinë
Në prag të ministerialit të Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas i jep çmim kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe bën thirrje për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Qarqe qeveritare nga Berlini i thanë DW-së, se Bullgaria ende nuk po tregon gatishmëri për të zhbllokuar procesin e çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut. Hapja e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kthyer në një nga sprovat e kryesisë gjermane të BE-së. Në deklaratë për media, ministri i shtetit për Evropën, Michael Roth, të martën në Berlin u bëri thirrje kolegëve të vet që të miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Sot do t’i informojë koleget dhe kolegët e mi për procesin e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet janë fqinjët tonë të drejtpërdrejtë. Është në interesin e BE-së që të fillojmë negociatat me këto dy vende. Shpresoj që të gjithë koleget dhe kolegët nga të gjitha vendet anëtare të ndërgjegjësohen për këtë interes të përbashkët dhe të jenë të gatshëm të bëjnë përparime pragmatike dhe solidare në kuptimin më të mirë të fjalës. Procesi i anëtarësimit nuk duhet të bëhet peng i kërkesave të anëtarëve të veçantë”, tha Roth. Thirrja e Michael Roth shkon aktualisht në emër të Bullgarisë, e cila po pengon procesin e zgjerimit të BE-së me Maqedoninë e Veriut, për shkak të një grindjeje me vendin fqinj për çështjen e përkatësisë historike të kulturës dhe gjuhës maqedonase. Për shumë vëzhgues në Berlin qëndrimi i Bullgarisë është i pa arsyetueshëm, sidomos nisur nga fakti që Maqedonia e Veriut e bëri një lëshim në identitetin kombëtar të saj, pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. Berlini është përpjekur para ca kohësh që të arrijë një kompromis mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por deri tani pa sukses.