Tensione mes Serbisë dhe Malit të Zi
Marrëdhëniet diplomatike Serbi-Mal i Zi kanë hyrë në një fazë acarimi duke përfunduar në fundjavë me dëbimin nga vendi të ambasadorëve respektivë.
Ishte Podgorica e para që e shpalli ambasadorin serb, Vladimir Bozoviç, si “persona non grata” dhe i kërkoi të largohej nga vendi. Qeveria në ikje malazeze tha se diplomati serb vazhdimisht ndërhynte në çështjet e brendshme, dhe pak orë më parë e kishte vlerësuar si “çlirim” dhe vendim “me vullnet të lirë” aktin e Kuvendit të Podgoricës më 1918-ën, për t’iu bashkuar asaj që më vonë do quhej Jugosllavi. Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka cituar “ndërhyrjet e vazhdueshme në çështjet e brendshme të Malit të Zi” si arsye për marrje të këtij vendimi. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme është thënë se ambasadori serb, Vladimir Bozhoviq “ka treguar jorespekt direkt” për Malin e Zi, duke e përshkruar vendimin e vitit 1918 për t’iu bashkuar atëbotë Mbretërisë së dominuar nga Serbia si akt “të çlirimit” dhe “vullnetit të lirë” nga malazezët. Parlamenti i Malit të Zi e ka shpallur këtë vendim si të pavlefshëm më 2018, duke thënë se i ka hequr Malit të Zi sovranitetin e vet. Në deklaratë është thënë se komentet e Bozhoviqit më 27 nëntor kanë qenë “të papërshtatshme me standardet e zyrës diplomatike”. Për Malin e Zi, vendimi parlamentar i asaj kohe ishte i paligjshëm. “Pas disa paralajmërimeve verbale dhe me shkrim për qëndrimet e tij të papranueshme, dje ambasadori Bozoviç e përçmoi edhe një herë në mënyrën më direkte, shtetin që i dha atij imunitet diplomatik,” njoftoi Ministria e Jashtme malazeze. Beogradi reagoi në reciprocitet ndaj ambasadorit malazez në vend, Tarzan Miloseviç, duke i kërkuar atij të largohet brenda 72 orëve nga Serbia. “Për shkak të shpalljes së ambasadorit të Serbisë në Malin e Zi, Vladimir Bozhoviq, person të padëshiruar, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka vepruar në mënyrë reciproke”, është thënë në deklaratën e kësaj ministrie. Mali i Zi vazhdon të jetë thellësisht i ndarë në mesin e njerëzve që kërkojnë lidhje me aleatët tradicionalë, Serbinë dhe Rusinë, si dhe ata që e shohin Malin e Zi si shtet të pavarur, të lidhur me Perëndimin. Serbia dhe Mali i Zi vijojnë të kenë raporte të tendosura që pas ardhjes në pushtet të kryeministrit dhe tani presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, i cili e udhëhoqi shtetin drejt pavarësisë nga Serbia. Koalicioni i Gjukanoviçit u mund në zgjedhjet e fundgushtit, ndërkohë që qeveria më pro-serbe që doli fituese pritet të marrë pushtetin javën tjetër. Partia më e fuqishme e koalicionit është Fronti Demokratik. Megjithatë, partnerët e saj insistojnë që Mali i Zi të vazhdojë rrugën pro-Perëndimore. Ky ndryshim e ka lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të drejtuar nga presidenti Millo Gjukanoviq jashtë pushtetit për herë të parë pas gati 30 vjetëve.