Kosovarët më optimistë se serbët për paqe
Shumë serbë dhe një përqindje e konsiderueshme e kosovarëve nuk e kanë shumë të qartë se cili është objektivi i shteteve të tyre respektive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon një hulumtim i kryer në Kosovë dhe Serbi, nga Qendrat për Studime të Sigurisë.
Sipas anketimeve, 31 për qind e kosovarëve dhe mbi 50 për qind e serbëve të anketuar kanë deklaruar se nuk e dinë se çfarë janë synimet në dialogun i cili po ndërmjetësohet nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak. Rezultatet e hulumtimit u prezantuan në një konferencë virtuale të organizuar nga Instituti për Politikë të Jashtme i Universitetit John Hopkins. Sipas të dhënave të publikuara, mbi 48 për qind e serbëve e shohin si zgjidhje të vetme kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, duke ia ofruar një autonomi të gjerë, ndërkaq mbi 76 për qind e kosovarëve presin që zgjidhja finale të jetë njohja e ndërsjellë. Në të dyja vendet, qytetarët e mbështesin vazhdimin e dialogut, por shumica prej tyre e konsiderojnë atë jotransparent. Po ashtu, shumica dërmuese e të anketuarve janë shprehur kundër idesë për shkëmbim territorial. Në Kosovë vetëm 6 për qind e mbështesin këtë ide, ndërkaq në Serbi vetëm 4.2 për qind.