Ministria shqiptare e Mbrojtjes jep sqarime pas vdekjes së ushtarit në Afganistan
Ushtari shqiptar Xhevair Jazaj ka humbur jetën në mbrëmjen e ditës së martë në Afganistan. Pas këtij rasti, Ministria shqiptare e Mbrojtjes njofton se po bashkëpunon me Komandën e Operacionit për të hetuar mbi rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë kanë siguruar familjarët dhe personelin se do t’u gjenden pranë deri në përmbushjen e misionit. “Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftojnë se dje, në orën 22:40 ora lokale në Afganistan, ka humbur jetën ushtaraku me inicialet XH. J. Autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm po bashkëpunojnë me komandën e operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në ta cilat ka ndodhur ngjarja. Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm sigurojnë personelin në mision dhe familjet e tyre se do vijojnë të mbështesin e tu gjenden pranë për të përmbushur me sukses misionin. Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tyre të dashur”, thuhet në njoftim. Ushtari që vdiq dje është i dyti shqiptar që ndërron jetë në mision në Afganistan, pasi në shkurt të 2012-së u ekzekutua kapiten Feti Vogli pas një prite me armë në një fshat të Kandaharit. Ndërkohë që në vitin 2019 gjatë misionit të NATO-s në Letoni u vranë major Klodian Tanushi dhe Zarife Hasanaj.