Vuçiç: Na duhet paqja me shqiptarët
Gjermania do e ndihmojë Serbinë të ecë më shpejt në rrugën e Bashkimit Europian nëse do të arrijë kompromis me Kosovën.
Ministri i Jashtëm gjerman, Hajko Mas, i deklaroi të premten (23 prill) presidentit Aleksandër Vuçiq se është e domosdoshme që normalizimi i raporteve të vijojë bashkë me reformat për sundimin e ligjit dhe kundër korrupsionit. “Është e rëndësishme që dialogu me Kosovën të mos mbahet për hir të dialogut, por të ketë rezultat. Nuk ka pse të nisë nga fillimi. Do të përdoren çështjet që janë negociuar deri tani." Vuçiç tha se kompromisi me Kosovën do të arrihet kur pala tjetër t'i përmbahet marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel, siç është ajo për komunat me shumicë serbe. Presidenti i Serbisë shtoi se vendi i tij do të luajë rol konstruktiv në rajon. "Neve nuk na interesojnë territoret e të tjerëve. Na duhet paqja me shqiptarët dhe të tjerët. Është e sigurt se në njëqind vitet e ardhshme, ne dhe shqiptarët do të jemi dy kombet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor." Beogradi ishte ndalesa e dytë e kryediplomatit gjerman, pasi një ditë më parë vizitoi Prishtinën ku u takua me krerët më të lartë shtetërorë.