Dendias: Greqia përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën
(last modified Fri, 04 Jun 2021 10:19:01 GMT )
Qershor 04, 2021 12:19 Europe/Tirane
  • Dendias: Greqia përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë kësaj vizite kryediplomati grek fillimisht është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, raporton E.O.

Kryediplomati grek do të takohet edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Dendias ka vizituar Kosovën edhe më 9 tetor të vitit të kaluar.

Kryediplomati grek, Nikos Dendias para mediave tha se Greqia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi kriteret janë përmbushur.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në konferencën e përbashkët me homologun grek Nikos Dendias, i kujtoi se Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Dendias në anën tjetër nuk e përmendi fare faktin se shteti nga vjen se njeh Kosovën, duke thënë vetëm se përkrahin liberalizimin e vizave për kosovarët.

Gërvalla para mediave tha do të vazhdojnë dialogun edhe rreth çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës me Greqinë dhe partnerët e BE-së, raporton GazetaExpress.

“Njohjen dhe respektimin e pavarësisë së vendit tonë nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian përfshirë edhe Greqinë e konsiderojmë si një kontribut thelbësor për stabilitetin në Ballkan. Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë që të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin. Por, duke pasur parasysh faktin se Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndëvështrim tjetër ne riafirmojmë se me Greqinë dhe me partnerët tjerë të BE-së do të vazhdojmë intenzivisht dialogun edhe rreth kësaj çështje”, tha Gërvalla.

“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ne jemi poashtu pro-liberalizimit të vizave për juve sepse ju keni përmbushur kriteret. Ne jemi këtu që të ju ndihmojmë edhe në fushën e sundimit të ligjit.  Është e qartë se ne mbështesim fuqishëm vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që mes palëve të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, tha Dendias.

Tags