Iniciohet sërish formimi i institutit për krimet e kryera gjatë luftës
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës.
Me këtë rast ai tha se ky Institut do të jetësohet vetëm me përkushtimin e të gjithëve, pa hudhur poshtë punën e deritanishme.
“Vitin e kaluar, dy javë para kësaj date jemi takuar për takimin e formimit të ekipit, dhe sot po vazhdojmë me fazën e dytë që do të përgatisë koncept-dokumentin e krimeve të kryera gjatë luftës, do të jetë e vështirë t’i adresojmë të gjitha krimet e kryera, familjarët e viktimave kanë humbur besimin dhe ky është një rrezik që po na kanos dhe andaj duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim”, tha Kurti, raporton EO.
“Kemi më shumë se 13 mijë persona te vrarë gjatë luftës, dhe dëmi është edhe më i madh si ekonomik ashtu edhe në aspekte tjera”, tha ai.
Tutje Kurti tha se Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore duke shtuar se tashmë nuk e kemi luksin që të dështohet.
“Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore, dhe përkrahjen e të gjithëve nëse duam të kemi sukses, por edhe nuk duam ta hudhim poshtë punën e deritanishme dhe me punën e tyre të vazhdojmë tutje”.
“Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe andaj është thelbësore ta përkrahim njëri-tjetrin”, theksoi tutje Kurti.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se deri tani ka munguar vullneti politik në adresimin e këtij problemi, duke shtuar se mbështetja e kësaj ministrie dhe Qeverisë nuk do mungojë asnjëherë, raporton EO.