Vuçiç: Njohja e Kosovës nga Izraeli ishte zhgënjyese për Serbinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Izraeli ka qenë zhgënjyese për Serbinë.
Vuçiq ka thënë të martën (10 gusht) se gjatë bisedës telefonike me presidentin e ri të Izraelit, Isaac Herzog, ka shfaqur shpresën se, Serbia dhe udhëheqësia e re izraelite do të përparojnë raportet dypalëshe. "Presidenti Vuçiq ka shfaqur pritjen se presidenti Herzog dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun Beograd- Prishtinë, i cili për Serbinë është mënyra e vetme e zgjidhjes së çështjes së ndjeshme të Kosovës”, thuhet në komunikatën e presidencës serbe pas bisedës telefonike. Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021. Njohja e ndërsjellë mes këtyre dy vendeve ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin ekonomik të arritur në Uashington më 4 shtator 2020.