Serbia do incidente që të dërgojë ushtrinë në kufi me Kosovën
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i114544-serbia_do_incidente_që_të_dërgojë_ushtrinë_në_kufi_me_kosovën
Serbia po niset nga incidentet që po pretendohen në veri të Kosovës për të çuar ushtrinë e saj në kufi me të.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 24, 2021 17:19 Europe/Tirane
  • Serbia do incidente që të dërgojë ushtrinë në kufi me Kosovën

Serbia po niset nga incidentet që po pretendohen në veri të Kosovës për të çuar ushtrinë e saj në kufi me të.

Ekspertët mendojnë se Beogradi po e përshkallëzon qëllimisht situatën sepse do që Kosova të tërhiqet nga reciprociteti prej presionit ndërkombëtar. Serbia ka vënë në gatishmëri të lartë ushtrinë për të garantuar sigurinë e shtetasve të saj në veri të Kosovës. Pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut lidhin dy fqinjët por situata atje mbetet e tensionuar si pasojë e vendosjes së reciprocitetit për targat e automjeteve. Pala serbe pretendon se shtetasit e saj janë dhunuar nga forcat speciale kosovare që po ruajnë rendin dhe frika është se po shkohet drejt trazirave të dhunshme ndëretnike si të vitit 2004. "Serbët në Kosovë nuk janë vetëm. Kanë Serbinë. Xhandarmëria jonë është gati, e stërvitur, e pajisur dhe mbi të gjitha e motivuar për t'i mbrojtur." Policia e Kosovës njofton se situata në veri mbetet e njëjtë, me protestues e automjete të rënda që kanë bllokuar prej pesë ditësh rrugët kombëtare. Nuredin Ibishi, ekspert për çështjet e sigurisë, mendon se Serbia po e përshkallëzon qëllimisht gjendjen. Kjo është një luftë speciale e Serbisë, që me provokime dhe inskenime të ndryshme, që përmes rasteve të paqena në realitet të nxisë edhe një provokim më të madh të policisë, me qëllim që me e prish rendin. Për këtë arsye duhet me qenë të përmbajtur Policia e Kosovës nga këto provokime, por edhe vet protestuesit, të cilët bashkë me ministrin Rakiq po qëndrojnë aty dhe po dirigjohen nga Beogradi...Nëse zgjatë edhe një kohë të pacaktuar, mendoj që kjo mund të sjellë tek incidenti.” Bashkimi Europian u ka bërë thirrje palëve të shmangin provokimet dhe t'i qëndrojnë marrëveshjeve të mëparshme të firmosura në Bruksel. Për këtë insiston edhe Beogradi kur pretendon se akordi i 2011-ës ia ndalon Prishtinës të marrë veprime të njëanshme, si reciprociteti i fundit. Por zv.kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i tha komisionit parlamentar për integrimin europian se pretendimi nuk qëndron më.