Kryeministrja e Serbisë e fton Kosovën t'i bashkohet "Ballkanit të Hapur"
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u bëri thirrje të gjitha vendeve në Ballkan, përfshirë Kosovën, që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.
Ajo tha se ftesa për këto vende është “gjithmonë e hapur”. Nisma e bashkëpunimit “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis vendeve. "Qytetarët që jetojnë në rajon do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga kjo nismë", tha Bërnabiq më 15 nëntor, duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë një takimi të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet në Parlamentin serb. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”. Qeveria aktuale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e hedh poshtë këtë iniciativë dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian. Në Beograd më 4 nëntor, është mbajtur takimi i radhës i udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim "Ballkani i hapur". Në takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, si dhe afaristë nga rajoni. Presidenti Vuçiq tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura.