Reagimi i parë i qeverisë Kurti pas kërkesës së QUINT-it
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i120712-reagimi_i_parë_i_qeverisë_kurti_pas_kërkesës_së_quint_it
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, thotë se nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Kosovë e drejta e votimit në referendum pasi janë dy mundësi votimi përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Janar 14, 2022 12:42 Europe/Tirane
  • Reagimi i parë i qeverisë Kurti pas kërkesës së QUINT-it

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, thotë se nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Kosovë e drejta e votimit në referendum pasi janë dy mundësi votimi përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Kjo pasi BE-ja dhe QUINT-I i kanë bërë thirrje qeverisë që t’i lejojë serbët të votojnë në referendumin që do të mbahet në Serbi, raporton Gazeta Express.

Ahmeti ka thënë se çdo kërkesë tjetër e Serbisë është pretekst në destabilizimin e vendit.

“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm preteks për destabilizim eventual të vendit e rajonit”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas Ahmetit kërkesat e paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara.

“Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit. Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”, ka shkruar ai.

Ndërkohë pas kërkesës ndaj Qeverisë për lejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë, ambasadorët e QUINT-it po zhvillojnë takim me krerët e institucioneve.

Në objektin e presidencës, diplomatët ndërkombëtarë po diskutojnë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Qeveria e Kosovës ka qenë e prerë në vendimin kundër lejimit të mbajtjes së referendumit serb në Kosovë më 16 janar.