Sali Berisha mbledh sërish Rithemelimin në selinë e PD
Mbrëmjen e së premtes Komisioni i Rithemelimit u rikthye sërish në selinë e Partisë Demokratike për të zhvilluar mbledhjen e dytë brenda ditës.
I pranishëm ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha i cili u prit me ovacione të shumta nga simpatizantë të mbledhur jashtë ambienteve të selisë. Mbledhja zgjati pak minuta dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Gazetarja e Euronews Albania, Elona Gjylmi mësoi se një ndër vendimet e para të mbledhjes ishte hapja e dyerve të blinduara në seli, rregullimi i zyrave dhe ardhja e përditshme në seli duke nisur nga nesër. Gjykata e Tiranës ka pranuar Kuvendin Kombëtar të PD-së të mbajtur me 11 dhjetor, që u thirr nga Sali Berisha. Ndryshimet në statutin e PD-së, të vendosura në këtë Kuvend, janë legjitime sipas Gjykatës. Statuti i ri i PD-së dhe simbolet e reja janë miratuar. Kuvendi i dhjetorit i PD-së u mbajt në stadiumin Air-Albania me udhëheqës Sali Berishën, mirëpo u cilësua si jo legjitim nga ish-kreu i PD-së Basha. Më 18 mars, Gjykata njohu edhe ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut që u mbajt në pallatin e Kongreseve, ku u morën disa vendime. Aktualisht PD-ja është e ndarë në disa grupime dhe pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, po bëhen përpjekje për bashkim edhe pse palët nuk janë ulur ende në bisedime. Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha nënvizoi se nuk ka 2 PD, por vetëm 1 dhe se janë të hapur për të diskutuar me çdo anëtar.