Qentë sulmojnë tre mjekë, një shtrihet në Klinikën Infektive
Tre mjekë në intervale të ndryshme kohore, janë sulmuar nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së. Dy prej tyre kanë kërkuar trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, raporton se njëra nga mjeket, është lënduar rëndë në kokë e në gjymtyrë, pas sulmit të qenve, të cilët ishin brenda hapësirave të QKUK-së.
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente Avdush Bajgora, deklaroi për RTK-në se pas ekzaminimit, pacientja do të vazhdojë trajtimin mjekësor në Klinikën Infektive, për shkak të plagëve të marra.
“Në orët e hershme të mëngjesit është sjellë një person me profesion mjeke në Qendrën Emërgjente”, tha Bajgora.
“Pacientja ka pësuar lëndime në kokë nga qentë endacakë. Pas ekzaminimeve që i janë bërë, pacientja është pranuar në Kliniken Infektive për mjekim të mëtejmë”, tha Bajgora.
Drejtues të SHSKUK-së kanë bërë të ditur se kanë kërkuar nga organet kompetente që të trajtojnë me prioritet çështjen e qenve endacakë, brenda oborrit të QKUK-së.
Ndërkohë, jo vetëm në QKUK, por në tërë Prishtinën, qentë endacakë janë shndërruar në problem për qytetarët.
Në anën tjetër, komuna fajëson Ministrinë e Mjedisit, sepse nuk I cakton asnjë lokacion për strehim të këtyre qenve.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ditë më parë, reagoi ndaj Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e cila e shpalli të kundërligjshëm vendimin e kësaj komune për caktimin e lokacionit të pronës për strehimin e qenve endacakë.
Me vendimin e fundit të kësaj ministrie, Zogaj ka thënë se po pengohet procesi i zgjidhjes së problemit për qentë endacakë.
Nga ana e saj, MMPHI-ja ka konstatuar se vendimi për ndarjen e 10 hektarëve në Slivovë, nuk është i bazuar në Ligjin për Planifikim Hapësinor.