Shtëpia e Bardhë njofton për temat e diskutimit Sullivan-Kurti
Edhe Shtëpia e Bardhë ka njoftuar sot për takimin e Këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në njoftim thuhet se Sullivan falënderoi kryeministrin për gatishmërinë e Kosovës për të pritur të evakuuarit afganë.
“Ata shkëmbyen mendime mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu referuar njoftimin të Shtëpisë së Bardhë, Sullivan dhe Kurti diskutuan gjithashtu për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në njoftim më tej bëhet e ditur se Sullivan shprehu mbështetjen e SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura.
Sullivan po ashtu mirëpriti planet e Kosovës për të kaluar nga varësia nga thëngjilli për prodhimin e energjisë elektrike dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm.
Kurti: Dialogu Kosovë – Serbi të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe mbështetjen për vendin tonë, dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.
Duke biseduar për aspektin e sigurisë, Kurti tha se Kosova është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në BE dhe përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.
Kryeministri Kurti ritheksoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.
Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.
U bisedua për rreshtimin e Kosovës me SHBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Kosovës për refugjatët afganë dhe strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.
Kurti takoi kongresistin Jim McGovern, thekson rrezikun e lidhjeve Serbi-Rusi për Ballkanin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Uashington kongresistin Jim McGovern, njëherësh kryetar i Komisionit për Rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve .Ai e ka falënderuar atë për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.
Kurti e ka njoftuar kongresistin McGovern për progresin përgjatë qeverisjes njëvjeçare, synimet, planet dhe prioritet e qeverisë në vijim të mandatit.
"Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë, kryeministri Kurti ka theksuar reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Kosovës duke u rreshtuar përkrah ShBA-së dhe BE-së, me vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe me ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes për Ukrainën", njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Ai e ka vënë theksin te rreziku që mund të paraqitet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo për shkak të, siç ka thënë ai, lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, në veçanti asaj ushtarake. Aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë kryeministri.
Këtë e ka mbështetur në veprimet që ndërmori Serbia kur Kosova mori masat e reciprocitetit në lidhje me targat e përkohshme.
Serbia e përshkallëzoi këtë çështje në një provokim ushtarak, duke fluturuar helikopterë ushtarakë të dhuruar nga Rusia dhe avionë luftarakë Mig-29 afër pikës kufitare në Jarinje, ka thënë kryeministri Kurti dhe ka shtuar se ambasadori rus në Beograd, Aleksander Botsan Harçenko, e ka vizituar pikën kufitare së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, për të inspektuar grumbullimin e trupave ushtarake serbe atje.
Kurti ka potencuar që megjithëse NATO është e pranishme në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një bazë të madhe ushtarake në vendin tonë, gjë që na bën të ndihemi të sigurt, një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë.
Kurti takoi në Washington D.C. kongresisten, Elissa Slotkin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Uashington D.C. me kongresisten Elissa Slotkin, me ç’rast kanë diskutuar për marrëdhënien e veçantë të dy vendeve, zhvillimet gjeopolitike në Evropë dhe sigurinë e rajonit pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se ryeministri Kurti e njoftoi kongresisten Slotkin për vendimet, politikat dhe rezultatet kryesore të qeverisjes së deritanishme, me theks te rritja ekonomike dyshifrore, luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i indikatorëve të demokracisë sipas vlerësimeve të raporteve të organizatave ndërkombëtare.
Ai shtoi se duke iu bashkëngjitur botës demokratike në dënimin e agresionit rus dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe duke strehuar qytetarët afganë në Kosovë, Kosova ka treguar lidership dhe ka dëshmuar se është partnere e besueshme e aleatëve të saj.
Në anën tjetër, kongresistja Slotkin i uroi mirëseardhje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo tha se asnjë shtet nuk mund të qëndrojë neutral në mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se edhe një herë jemi në një epokë që çdo shtet duhet të zgjedhë anë. Më tej, ajo e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës për ndihmën që i kanë ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës në strehimin e qytetarëve afganë.
“Faleminderit për ndihmën tuaj atëherë kur kishim nevojë shumë për ju”, tha kongresistja Slotkin. Ajo gjithashtu shprehu mbështetjen e saj të plotë për Republikën e Kosovës dhe aspiratat e saj për anëtarësim në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, në veçanti në NATO.