Osmani pas takimit me Çavusoglu: Turqia, një ndër partnerët tanë në NATO
(last modified Sun, 19 Jun 2022 13:12:10 GMT )
Qershor 19, 2022 15:12 Europe/Tirane
  • Osmani pas takimit me Çavusoglu: Turqia, një ndër partnerët tanë në NATO

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me të cilin zhvilluan një bisedë përmbajtësore dhe konfirmuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.

Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin pamje, teksa takimi ka vazhduar me dyer të mbyllura.

Pas takimit nëpërmjet një komunikate për medie presidenca njofton se ministri Çavusoglu dhe presidentja Osmani diskutuan për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. 

 “Presidentja Osmani dhe ministri Çavusoglu, diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç`rast, presidentja Osmani potencoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim”, thuhet në komunikatë.

 Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

 “E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar në takim presidentja Osmani.

 “Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar presidentja Osmani.

 “Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe mëtej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi”, përfundon komunikata.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka arritur dje në Kosovë. Ai është pritur nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla.

Por, Gërvalla sot edhe zyrtarisht do ta presë në takim zyrtar homologun turk. Pas takimit, Gërvalla dhe Çavusoglu do të japin deklaratë për medie dhe do t'u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në orën 11:00 pritet të takohet me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

Sipas njoftimit të presidencës, mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit (ora 10:50), ndërsa pas përfundimit do të ketë komunikatë për medie. Takimi do të mbahet në kabinetin e presidentes.

Tags