Pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët e Kosovës
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i130466-pikat_kufitare_jarinjë_dhe_bërnjak_janë_të_hapura_për_qytetarët_e_kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët e Kosovës.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 01, 2022 16:16 Europe/Tirane
  • Pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës në nëntë lokacione, tashmë janë larguar plotësisht. Ndërsa sot Kreu i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës, Goran Rakiq dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në Qeverinë e Serbisë. Barrikadat e krijuara nga serbët në veri të Kosovës për të bllokuar pikat kufitare “nuk kanë qenë veprime, por reagime ndaj një vendimi të njëanshëm të Prishtinës”, ka thënë kryetari i Listës Serbe të Kosovës, Goran Rakiq. “A e kuptoni që mbrëmë ishim në prag të konflikteve serioze? Ishin mbi 1.000 pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë dhe plani i tyre ishte të pushtonin popullin që donin të mbronin pragun e tyre”, ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Peter Petkoviq. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi zëdhënësi i bllokut, Peter Stano. Kurti dhe Vuçiq kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se edhe institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë. “Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.