Paralajmërimi i kryeministres së Serbisë për çështjen e targave
“Nga 1 shtatori, Kosova fillon një periudhë të paqëndrueshme”, ka paralajmëruar kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e cila paralajmëron trazira për shkak të mosarritjes së marrëveshjes për targa ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Fajin për këtë situatë, ajo ia faturon kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. “Kurti nuk dëshiron paqe dhe nuk është i gatshëm për kompromis”, ka thënë shefja e ekzekutivit serb për Radio Televizionin e Serbisë. Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për dokumentet në 27 gusht. Por nuk ka ende një ujdi për targat. Vuçiç bëri më herët një pohim të ngjashëm, ndërsa insistoi se pakti për heqjen e të gjitha dokumenteve të hyrjes dhe daljes për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë kur kalojnë kufirin, nuk duhet të interpretohet si njohje. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por Kurti e ka hedhur poshtë këtë propozim. Qeveria e Kosovës ka thënë se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës.