Tirana s'ka ajër, kryeqytetit i mungon oksigjeni, i mbytur nga zhurmat
Ndotja në Tiranë vijon të jetë shqetësuese dhe faktorët kryesorë janë transporti, por dhe ndërtimet e shumta. Sipas një studimi të bërë niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë i tejkalon standardet e vendosura.
Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është mbi normën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas monitorimit të Co-plan këto shifra janë të njëjta me ato të viteve që lamë pas dhe faktorët janë të shumtë ku faktorët janë transporti e më pas nga ndërtimet.
"Gjatë 2022 trendi i përqëndrimit të ndotësve më problematikë në ajër vazhdon të jetë i njëjtë. Kemi dy tipologji ndotësish që i kalojnë përqëndrimet, kryesisht industria e ndërtimeve në Tiranë që bëhet pa kriter.
Masat mjedisore që bëhen për ti eleminuar ato janë thuajse inekzistente. Faktori i dytë është transporti, djegia e lëndëve djegëse nga automjetet sidomos ato të tonazhit të rëndë, automjetet e amortizuara që përdoren për transportin publik apo shërbimet publike, qofshin këto menaxhimi i mbetjeve."
Rodion Gjoka, drejtues i njësisë së Mjedisit dhe Energjisë CO- plan shprehet se cilësia e ajrit në Tiranë u përmirësua vetëm në kohën e karantinës ku qarkullimi i automjeteve, ishte i reduktuar dhe u ndaluan ndërtimet.
"I vetmi moment kur kemi hasur realisht përmirësim të cilësisë së ajrit ka qenë periudha e pandemisë ku përgjatë tre javëve bllokimi të lëvizshmërisë së automjeteve dhe bllokimit të punëve në infrastrukturë dhe sektorin e ndërtimit, përqëndrimi i këtyre ndotësve ra poshtë standardit që parashikon OBSH për një cilësi ajri të shëndetshëm."
Sipas monitorimit Gjoka shprehet se dhe niveli i zhurmës në qytetin e Tiranës, rezulton se tejkalon nivelet standarde të vendosura në Shqipëri.
Gjoka thotë se me shqetësim mbetet monitorimi i cilësisë së ajrit apo ndotjes nga ana e institucioneve shtetërore, pasi që prej vitit 2018 Agjensia Kombëtare e Mjedisit, apo dhe institucionet e tjera që kanë për detyrë nuk kanë publikuar të dhëna që lidhen me këtë shqetësim.