Qeveria e SBASHK-u paralajmërojnë njëra-tjetrën për pagat
Edhe sot nuk janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit. Ndërkohë, Sindikata e Arsimit pret që ato të ekzekutohen deri më 5 tetor, në të kundërt do të ndërmarrin masa të tjera. Për këtë çështje, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ndërsa, Këshilli i Prindërve ka deklaruar se nëse nuk jepen pagat e shtatorit për mësimdhënësit, do të mbledhin fonde për ta.
Mësimdhënësit vazhdojnë të jenë pa paga për muajin shtator, ndërsa sindikalistët po presin që deri nesër të ekzekutohen ato. Sindikata e Arsimit, ka deklaruar se nëse ato nuk ekzekutohen deri më 5 tetor, atëherë do të ndërmarrin masa të tjera.
Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se ky vendim është hakmarrje ndaj sindikatës, ndërsa siç tha, qeveria ka shkelur ligjin. Ai deklaroi se do të vendosë anëtarësia për veprimet e mëtutjeshme.
“Do ta pyesim anëtarësinë. Greva nuk është mbyllur por është pezulluar. Është shantazh dhe thikë pas shpinës ndalja e pagave, që duke shkelur ligjet, mundohet të zbehë sindikatat”, thotë Jasharaj.
Ndërkohë, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit. Kryetari i Këshillit, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën se nëse nuk jepen pagat e shtatorit për mësimdhënësit, do të mbledhin fonde për ta.
“Ne prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit”, deklaron Demi për Radio Kosovën.
Për çështjen e pagave, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Përmes një postimi në facebook, ajo ka thënë se ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë.
“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHT-it nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se kanë diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodh në shumicën e vendeve të tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer.
Sipas Nagavcit, nuk ka pasur vëmendje e kujdes në këtë drejtim, derisa ka thënë se ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva, janë nxënësit.
“Ligji duhet të respektohet në tërësi. Ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Kompensim do të ketë për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci
Ministria e Arsimit pasdite do të publikojë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor 2022/23 për 22 ditët e humbura të mësimit. Ndërkohë Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve janë kundër zëvendësimit të orëve mësimore. E njohës të çështjeve të arsimit janë skeptikë në rezultatin që sjellin orët e kompensuar.
Për shkak të grevës në institucionet publike arsimore, janë humbur mijëra orë mësimore. Se a do të kompensohen ose jo orët e humbura, Ministria e Arsimit pritet sot pasdite të publikojë Kalendarin e rishikuar. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci.
Ndërkohë, Sindikata e Arsimit është kundër zëvendësimit të orëve mësimore për të cilën po thonë se nuk është obligim ligjor.
Kundër grevës është shprehur edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Jeton Demi, kryetar i këtij këshilli, i tha Radio Kosovës se janë kundër zëvendësimit për arsye se po krijohet çrregullim komplet i planifikimit të jetës së fëmijëve dhe prindërve.
“ Jemi kundër që komplet procesi normal i rregullimit të jetës së prindërve dhe fëmijëve të çrregullohet. Dhe krejt të ndodhë për shkak të një greve që e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë të padrejtë e që ua mohon fëmijëve të drejtën elementare për edukim dhe arsimim publik”, tha Demi.
E, njohës i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se kompensimi i orëve është i rëndësishëm po se efikasiteti i tyre është në pikëpyetje.
” Zëvendësimi i orëve se sa është efikas, kjo është ajo pikëpyetja e madhe të cilën na e kemi ngritur që nga fillimi dhe na është dëshmuar edhe nga e kaluara. Një orë e zëvendësuar të shtunave ose gjatë pushimeve pranverore dhe verore në as një moment nuk është e barasvlershme në përkushtim e vëmendje sikurse në një orë të rregullt”, tha Qehaja.
Kalendari i vitit shkollor 2022/2023 përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor, pushimin dimëror, pushimin pranveror dhe festat publike për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar. Pas grevës, e cila zgjati një muaj, ky kalendar pritet të këtë ndryshime.
Radio Kosova